Në Kuvendin e Kosovës sot do të vijojnë mbledhjet e komisioneve parlamentare, ku në fokus do të jenë hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, shqyrtimi i raporteve të auditimit dhe Projektligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2027.
Në orën 09:00 do të mblidhet Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Sipas rendit të ditës, anëtarët e këtij komisioni do të shqyrtojnë miratimin e rendit të ditës dhe zgjedhjen e ekspertëve të jashtëm që do të angazhohen në punën e komisionit.
Në orën 10:00 do të mbahet edhe mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku do të shqyrtohen raportet e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të tri institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për vitin 2025.
Bëhet fjalë për raportet e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, ndërmarrjes “Trepça” SH.A. dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Në këtë mbledhje janë ftuar kryeshefat ekzekutivë dhe kryesuesit e bordeve përkatëse.


