Deputetja Liza Gashi foli në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në debatin e sotëm parlamentar për raportin e sivjetmë të Bashkimit Europian për Kosovën, duke përmendur “suksese dhe përparim”.
Pavarësisht se raporti në masë të madhe konstaton se s’është bërë progres, Gashi tha se përparimi është “i pamohueshëm”.
“Për ne si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me aleatët tanë, ky debat parlamentar po ashtu është një mundësi e mirë për të prezantuar sukseset dhe përparimin e pamohueshëm të Republikës së Kosovës në rrugëtimin e Bashkimit Evropian”, tha ajo.
Gashi tha se “integrimi evropian mbetet orientimi strategjik”, ndërsa përmendi liberalizimin e vizave në vitin 2024 si sukses të Qeverisë së udhëhequr nga LVV-ja.


