Në hollin e Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar procesin e deritanishëm për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si një “spektakël politik” pa përmbajtje reale, raporton Ekonomia Online.
“Në fakt nuk ka ndodhur asgjë. Konsultimi publik për një president unifikues prej ditës së parë ka qenë vetëm për konsum publik, ka qenë një spektakël politik i cili është mbajtur me dyer të mbyllura dhe është ditur epilogu,” deklaroi Tahiri para gazetarëve.
Sipas tij, gjatë gjithë kësaj periudhe nuk ka pasur përpjekje serioze për të arritur një konsensus politik.
“Asnjëherë nuk kam thënë që mund të ndodhë diçka tjetër përveç këtij epilogu, shkak se nuk ka pasur asnjë konsultim politik me gjetë një president unifikues nga subjektet politike që kanë fituar zgjedhjet,” shtoi ai.
Tahiri theksoi se, pavarësisht takimeve dhe daljeve publike, procesi ka qenë formal dhe jo substancial.
“Ka pasur takime të mbyllura, hyrje e dalje, konferenca para gazetarëve, por kurrë s’ka pasur me të vërtetë një konsultim publik për një president unifikues,” u shpreh ai.
Ai ngriti shqetësimin për mungesën e një figure që bashkon skenën politike, duke shtuar.
“Kosova ka qeveri, madje qeverinë më të madhe në Evropë me 22 anëtarë të kabinetit, por s’ka president që përçon një frymë unifikuese, thotë ai.
