Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, Bashkim Spahiu, tha se armatimi i ushtrisë jugosllave ka mbetur në posedim edhe pas periudhës së pasluftës pasi siç tha ai, formacionet ushtarake nuk u çarmatosën me përfundimin e luftës.

Spahiu, në një konferencë për media nga Qendra e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, tha se gjatë aktivitetit operacional të konfiskimit të arsenalit të madh të armatimit në zonën e Zubin potokut, janë intervistuar 27 persona.

“Te një i dyshuar kemi konfiskuar armë të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve me kohë dhe me urdhëresë, sipas Kodit të Procedurës Penale. Jo rastësisht kemi qenë pjesë e angazhimit operativ të Drejtorisë Rajonale në Veri, në kuptim të gjetjes dhe konfiskimit të armëve për shkak që ne kemi informacione, por kemi edhe dëshmi, që formacioni ushtarak që ka vepruar, përkatësisht Mbrojtja Territoriale e Ushtrisë jugosllave, stafin e mobilizuar nuk e ka çarmatosur me përfundim të luftës dhe ekzistojnë prova që armatimi në posedim gjatë kohës së luftës është mbetë në posedim edhe në këtë periudhë kohore… Kemi trajtuar dhe kemi intervistuar edhe 27 persona që në forma të ndryshme gjatë aktivitetit operativ janë hasur dhe shoqëruar në objektet policore”.Policia e Kosovës sot ekspozoi armatimin e konfiskuar nga operacionet në 12 lokacione të ndryshme në veri ku shihen armë dhe municione të ndryshme.