Rastet e prekura nga fruthi në Kosovë kanë shënuar rritje, veçanërisht gjatë muajit të fundit. Sipas të dhënave të QKMF-së në Prizren, të marra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nga prilli deri në fillim të nëntorit të këtij viti janë regjistruar rreth 300 raste në gjithë vendin.
Drita Qollaku, shefe e Urgjencës në QKMF, ka bërë të ditur se mbi 90 për qind e rasteve u përkasin personave të pavaksinuar.
“Mbi 90 për qind e këtyre rasteve, sipas IKSHPK-së, i përkasin grupeve të pavaksinuara. Kjo tregon qartë rëndësinë e vaksinimit kundër fruthit”, ka thënë Qollaku.
Sipas mjekëve, një person i infektuar me fruth mund të infektojë deri në nëntë persona të tjerë. Virusi mund të përhapet katër ditë para dhe katër ditë pas shfaqjes së skuqjeve në lëkurë.
Përveç përhapjes së shpejtë, fruthi mund të shkaktojë edhe komplikime serioze shëndetësore.



