Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot për vazhdimin e 52-të të seancës konstituive, një ditë para skadimit të afatit 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese javë më parë.
Pas kësaj, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit. Kështu u tha në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të publikuar në orët e vona të 24 korrikut, përmes së cilës u vendos ex officio masë e përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.
Gjykata e mbështeti vendosjen e masës në atë se për çështjen e konstituimit ka dy lëndë në shqyrtim, atë të paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje – fituese e zgjedhjeve – e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.
LVV-ja argumenton se është obligim i të gjithë deputetëve të konstituojnë Kuvendin.
PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe po ashtu po kundërshtojnë ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë. Partitë shqiptare kanë argumentuar se në aktgjykim Kushtetuesja ka thënë se votimi i fshehtë është jokushtetues, por mendim tjetër ka shprehur LVV-ja.
Me afrimin e mandatit 30-ditor, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj – partia e të cilit i ka tre deputetë – dhe kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë takuar javën e kaluar në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Por, deri më tani nuk kanë njoftuar për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit, dhe më pas formimin e Qeverisë.
