Ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Sulaymaniyah e Rajonit të Kurdistanit, ku po merr pjesë në Slemani Strategic Forum me ftesë të zëvendëskryeministrit të Qeverisë Rajonale të Kurdistanit, Qubad Talabani.
Në kuadër të forumit, Hoxhaj është takuar me guvernatorin e Slemanit, Dr. Haval Abubaker, dhe me disa anëtarë të qeverisë rajonale.
Në një postim në Facebook të premten paradite, Hoxhaj bëri të ditur se e kishte falënderuar guvernatorin Abubaker për mikpritjen në Rajonin e Kurdistanit dhe për mundësinë që forumi i dha Kosovës për të ndarë përvojën e saj me bashkëbisedues nga rajone të ndryshme.
Në një postim tjetër, deputeti i PDK-së tha se bisedat kishin vazhduar edhe pas paneleve. Ai bëri të ditur se ishte takuar me ministra të Qeverisë Rajonale të Kurdistanit përgjegjës për mbrojtjen, infrastrukturën dhe punën.
Hoxhaj njoftoi gjithashtu për takimet me Frans Timmermansin, ish-zëvendëspresident ekzekutiv i Komisionit Evropian, me Dimitris Avramopoulosin, ish-komisioner evropian për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë, si dhe me Lord Grimstone of Boscobel, ish-ministër britanik për Investimet. Ai u takua edhe me Hryhoriy Nemyria, ish-zëvendëskryeministër i Ukrainës dhe nënkryetar i parë i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin e Ukrainës.


