Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ku në kuadër të panelit të diskutimit me temë “Mbrojtja e vijës së parë: Sovraniteti në epokën e kërcënimeve hibride”, ka folur për sfidat e sigurisë, sovranitetin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Ajo theksoi se bota ndodhet në një periudhë të transformimit të thellë, ku modelet e vjetra janë shteruar, ndërsa të rejat ende nuk janë formësuar plotësisht.
Duke iu referuar konceptit të Antonio Gramscit për “interregnum”, Siljanovska-Davkova paralajmëroi se periudha të tilla krijojnë hapësirë për vakum politik dhe rreziqe gjeopolitike. Siç tha ajo, “vakumi politik nuk zgjat kurrë shumë”, ndërsa kjo vlen veçanërisht për Ballkanin.
Duke folur për perspektivën evropiane të rajonit, presidentja theksoi se vendet e të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor nuk janë periferi e Evropës, por pjesë e saj natyrore gjeografike, historike dhe kulturore.
Ajo rikujtoi se Maqedonia e Veriut ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE prej 21 vitesh dhe se deri më tani ka marrë 17 raporte pozitive, por pavarësisht kësaj ende nuk i ka nisur negociatat për anëtarësim.
Duke iu referuar ndryshimeve të shumta kushtetuese, Siljanovska-Davkova ngriti edhe çështjen e sovranitetit dhe legjitimitetit demokratik, duke theksuar se Kushtetuta nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por edhe një kontratë shoqërore.
“Sovraniteti im buron nga qytetarët dhe u përket qytetarëve. Edhe legjitimiteti im buron prej tyre”, deklaroi presidentja, duke bërë thirrje për sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut.



