Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Drenas, kanë ndërprerë bashkëpunimin me Komunën e Drenasit.
Shkak për këtë zhvillim thuhet të jetë mungesa e bashkëpunimit institucional nga Komuna dhe kryetari i saj, Ramiz Lladrovci.
Në njoftimin e tyre, OVL, SHFD dhe SHIL në Drenas shprehen se, për vite me radhë, nuk janë ftuar në aktivitete dhe mbledhje solemne për data të rëndësishme, përfshirë 17 Shkurtin, 5, 6 dhe 7 Marsin, si dhe 14 Qershorin – Ditën e Çlirimit.
Ndaj këtij reagimi është deklaruar vetë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka thënë se Komuna e ka vlerësuar dhe vazhdon ta vlerësojë kontributin e shoqatave të dala nga lufta.
“Kontributi i shoqatave të dala nga lufta çlirimtare, është vlerësuar nga Komuna e Drenasit. Unë e kam vlerësuar dhe vlerësoj secilën familje të dëshmorëve, martirëve dhe të pagjeturve, ashtu sikur edhe çdo invalid e veteran të UÇK-së”, ka thënë Lladrovci.
Ai ka theksuar se familjarët e dëshmorëve e martirëve, veteranët dhe invalidët e UÇK-së janë pjesë e jetës publike dhe institucionale të komunës.


