Shoqata e Onkologëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me situatën aktuale të shërbimeve onkologjike në vend, në një kohë kur numri i pacientëve me sëmundje malinje vazhdon të rritet nga viti në vit.
Pavarësisht nevojës së madhe për shërbime onkologjike dhe ngarkesës së vazhdueshme në sistemin shëndetësor publik, disa specialistë të rinj të onkologjisë, të trajnuar për vite me radhë me investim të konsiderueshëm publik dhe personal, vazhdojnë të mbeten pa mundësi punësimi në institucionet publike.
Shoqata e Onkologëve të Kosovës vlerëson se çdo specialist i papunësuar përfaqëson një mundësi të humbur për diagnostikim më të shpejtë, trajtim më të personalizuar dhe përmirësim të përgjithshëm të kujdesit për pacientët me sëmundje malinje në Kosovë.
Aktualisht, aplikimi i kimioterapisë dhe radioterapisë në nivel vendi realizohet kryesisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjë që krijon ngarkesë të madhe për sistemin dhe shpeshherë rezulton me vonesa në trajtimin e pacientëve.
