Aktivitetet kriminale në Kosovë po vazhdojnë si pasojë e dënimeve të buta, mbingarkesës së prokurorive dhe mungesës së organizimit të strukturave të sigurisë, ka vlerësuar eksperti i sigurisë Drizan Shala, derisa ka kërkuar krijimin e mekanizmave preventivë dhe të një “harte të krimit” për kontrollimin e rasteve kriminale.
Shala tha se aktivitetet kriminale po vazhdojnë si pasojë e mosfunksionimit të mekanizmave institucionalë për garantimin e sigurisë.
“Padyshim që tanimë në aspektin retrospektiv statistikor në qoftë se i referohemi, kemi aktivitet të grabitjeve dhe vjedhjeve të ndryshme. Kjo për faktin se kemi disbalancë në mes mekanizmave përkatës të cilët do të duhej që të vepronin në mënyrë permanente, në mënyrë konstante dhe rigoroz sa i përket mbarëvajtjes dhe rikthimit të sigurisë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se dënimet e buta dhe mbingarkesa e prokurorive po ndikojnë që rastet kriminale të mos trajtohen në mënyrën e duhur.
“Pra, gjykatat me dënime relativisht të buta, prokuroria me një mbingarkesë me lëndë të ndryshme duke mos përmbushur atë figurën kriminale e cila më pas do të kishte me dhënë rezultatin e duhur, dhe njëkohësisht mos-organizimi i duhur i strukturave të sigurisë, pra Policisë së Kosovës, sa i përket vendeve apo hapësirave ku potencialisht, në bazë të rishikimit analitik të të dhënave të krimit i cili është zhvilluar në rajonet përkatëse, nuk ka bërë ndonjë ristrukturim substancial për të arritur që të përcillet mesazhi i duhur që Policia e Kosovës është aty për të ofruar sigurinë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Shala tha se situata politike dhe mungesa e fokusit në zhvillimin ekonomik po ndikojnë gjithashtu në shtimin e rrezikut nga krimi i organizuar.
