Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT), Arben Pllana, paralajmëroi se nga 2 shtatori rreth 200 punëtorë do të hyjnë në grevë, pas dështimit të arritjes së marrëveshjes me menaxhmentin për ngritje të pagave.
Ai tha se greva do të zhvillohet në minimumin e saj për të mos rrezikuar furnizimin me energji elektrike dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Pllana tha se pas tri protestave dhe takimeve me menaxhmentin nuk është arritur asnjë marrëveshje.
“Pas tri protestave që i kemi zhvilluar me punëtorët me menaxhmentin jemi takuar, por nuk kemi mundur të arrijmë një marrëveshje për ngritje të pagës. Menaxhmenti ka thënë se na keni zënë në befasi, por nuk është befasi. Ne faktikisht kemi mbajtur tri protesta. Çdo javë nga një protestë. E kemi vendosur edhe ndërmjetësuesin ligjor që të arrijmë marrëveshje, avokatin e Sindikatës. Ne kemi paralajmëruar më dy shtator një grevë që pritet të mbahet në vendet e punës. Ne kemi shkuar me minimumin e grevës. Arsyeja është se ne e dimë që KOSTT është një interes jetik për vendin dhe nuk guxon të ndalet gjithçka, për arsye se jemi për furnizim me rrymë elektrike. Kemi marrëveshje ndërkombëtare, linja ndërkombëtare, kështu që ne do të shkojmë me minimumin. Mirëpo për fillim do të shkojmë në grevë me nga një orë tri ditët e para të javës nga dy shtatori. Dy ditët e fundit do të shkojmë me nga dy orë dhe në javën e dytë do të shkojmë me nga katër orë në ditë. Ky është minimumi i minimumit. Ne po presim reflektim, presim edhe nga ZRRE-ja, nga Qeveria që gjithçka t’ua mundësojë e t’ua lehtësojë këtyre punëtorëvë dhe të zgjidhet problemi”, tha ai.
Kreu i sindikatës tha se punëtorët po përballen me presion nga menaxhmenti.
“Faktikisht ka presion tek udhëheqësit, tek drejtorët, menaxherët e punëtorëve. Këta po kërkojnë se kush del në punë ta dinë dhe ata të cilët nuk deklarohen që nuk janë në punë e janë në grevë t’ju heqin mëditjen dhe shujtën. Ky është një kërcënim që mund të themi është kërcënim psikologjik”, tha ai.