Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH), në kuadër të Komandës së Gardës Kombëtare, ka përfunduar trajnimi i avancuar për kërkim-shpëtim, i cili kishte për qëllim ngritjen e aftësive profesionale të pjesëtarëve për operacione në terrene të vështira.
Trajnimi dyjavor përfshiu një program të avancuar teorik dhe praktik, me fokus në teknikat e specializuara të kërkim-shpëtimit, përfshirë sistemet e ankorimit, boltimet, sistemet e litarëve, evakuimin e viktimave dhe teknikat e alpinizmit.
Në njoftimin e QNTKSH-së bëhet e ditur se pjesë e programit ishte edhe një ushtrim 72-orësh në zonën e Rugovës, ku pjesëmarrësit zbatuan në praktikë njohuritë dhe teknikat e fituara gjatë trajnimit.
“Ushtrimi synoi vlerësimin e aftësive individuale dhe ekipore, koordinimin në terren, si dhe reagimin ndaj skenarëve të ndryshëm të kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftim.

