Ismet Beqiri ka komentuar zhvillimet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se, të jesh pjesë e kësaj partie, nuk nënkupton të heshtësh përballë gabimeve.
Në një shkrim të gjatë, Beqiri deklaroi se LDK-ja është ndërtuar me sakrificë, përkushtim dhe kontribut të njerëzve që i qëndruan pranë në më të vështirat ditë.
“Është e papranueshme që njerëz që nuk kanë sjellë asnjë votë, nuk kanë dhënë asnjë kontribut të mirëfilltë dhe nuk kanë qenë pranë LDK-së kur kishte më së shumti nevojë, sot marrin guximin t’u japin leksione atyre që janë pjesë e historisë së saj. Para se të gjykosh kontributin e dikujt tjetër, pyete veten çfarë ke bërë ti për LDK-në?” shkroi ai.
Duke vlerësuar se LDK-së u mungon guximi për të pranuar kritikat, Beqiri thotë se partia nuk duhet të jetë pronë e askujt.
Ky është postimi i plotë i tij:
Të jesh pjesë e LDK-së nuk nënkupton të heshtësh përballë gabimeve, as të pajtohesh me çdo vendim vetëm për të dëshmuar besnikëri. Përkundrazi, besnikëria ndaj LDK-së dëshmohet pikërisht atëherë kur ke guximin të flasësh, të kritikosh dhe të kërkosh përgjegjësi kur gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur.
LDK-ja nuk është ndërtuar brenda natës. Ajo është ndërtuar me sakrificë, përkushtim dhe kontribut të njerëzve që kanë qëndruar pranë saj edhe në ditët më të vështira. Prandaj, është e dhimbshme të shohësh se pikërisht ata që kontribuan për këtë parti sot shpërfillen dhe lihen anash.

