Çmimi i derivateve të naftës në Kosovë nuk pritet të ulet shpejt, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në muajt e ardhshëm të ketë edhe rritje të mëtejshme.
Kështu deklaron për KosovaPress kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Zekim Istogu, i cili thekson se situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme, mungesa e rezervave strategjike dhe varësia e plotë e Kosovës nga importi po ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin e derivateve në vend.
Sipas tij, Kosova furnizohet 100 për qind nga importi dhe çdo lëvizje e çmimit në tregjet ndërkombëtare reflektohet në tregun vendor.
“Kosova 100 për qind furnizohet nga importi dhe për shkak të mungesës së stoqeve të mëdha brenda vendit, efekti i çmimit ndërkombëtar automatikisht ndikon tek çmimi në Kosovë. Situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ka ndikuar që çmimi i naftës në muajt ose në ditët e fundit të rritet. E ajo ka pas efekt edhe te ne në Kosovë. Fatkeqësisht situata atje nuk është që po ndryshon për të mirë dhe nuk mund të presim një ulje të madhe të çmimeve, ose të shpejtë të çmimeve të naftës”, thekson Istogu.
Ndërsa thotë se nuk pret aktualisht rënie të çmimit të naftës, Istogu nuk përjashton mundesinë që nga kriza aktuale apo konflikti në Lindjen e Mesme, çmimi i derivateve mund të rritet më shumë.
“Momentalisht kriza që është shkaktuar tash, sidomos këto javët e fundit, ka eskaluar në një terren tjetër i cili nuk shihet që kjo do të ketë një fund të shpejtë. Pastaj stoqet në vendet perëndimore, sidomos në vendet e Azisë edhe të Evropës janë në nivelet më të ulëta dhe kërkesa është më e madhe sesa prodhimi. Edhe nëse stabilizohet konflikti në Lindjen e Mesme, për një kohë çmimet do të jenë më të larta, nuk do të vijnë në nivelin e janarit ose të shkurtit të këtij viti. Ndoshta edhe për një vit… mundet me ra 20-30 dollarë, po jo me në nivelin çfarë kanë qenë… Po këtë vit është krejtësisht i paparashikueshëm për shkak të edhe lëvizjeve në Lindjen e Mesme, po edhe lëvizjeve në marrëveshjet që është bërë mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës për shfrytëzimin e rezervave të naftës në Venezuelë. Ajo mund të ndikojë në uljen e çmimit, por jo pa u stabilizuar gjendja politike në Lindjen e Mesme. Kështu që ndoshta mund të ketë një rritje këto muaj, rritje edhe më të madhe. Po presim që gjatë fundit të vitit që të ketë një rënie graduale deri në janar e pastaj nuk i dihet ecurisë së marrëveshjes finale”, thotë Istogu.
Një nga problemet kryesore të tregut vendor, sipas Istogut, është mungesa e rezervave shtetërore të derivateve.
“Lëvizjet në stoqet e derivateve të kompanive, të derivateve të naftës ka përafërsisht pesë eventualisht në varësi prej sezonit, ka dhe 10 ditë. Edhe ato janë me kosto të mëhershme. Vazhdimisht ulja e kostos, ulja e çmimit nëpër pika shkon në raport me koston mesatare të stokut të mallit që e importon. Kjo shkon gradualisht ndoshta mundet me ik një ditë nëse ka ulje ekstreme edhe pikat e benzinës, sikur që nuk e rrisin çmimin kur ka rritje ekstreme, nuk mundet me vepru në shkarkim të çmimit të lartë, po shkon me gradualitet. Edhe kur ulet, po edhe kur rritet çmimi… Problemi i tregut tonë qëndron në efektin e ndryshimit të shpejtë të çmimit. Qëndron në faktin sepse Kosova nuk ka rezerva strategjike. Nuk ka rezerva shtetërore. Sa i di rreth 5, për 5 ditë më shumë, nuk ka rezerva nga shteti kurse edhe operatorët afërsisht në rezervat të operimit gjatë operimit i kanë diku rreth pesë ditë”, thotë ai.
Sa i përket konsumit, Istogu bën të ditur se Kosova importon mbi 900 milionë litra naftë dhe benzinë në vit, apo rreth 2 deri në 3 milionë litra në ditë, varësisht nga sezoni.
“Nafta ashtu edhe benzina është një produkt shumë i standardizuar. Është një standard i cili përdoret në tërë Evropën. Është EN 590-shi për naftë, i cili ka nja mbi 10 parametra të cilat e përcaktojnë saktë cilësinë e naftës. Kosova është treg i vogël që të importojë naftë jashtë këtij standardi…15:21 Sa i kam pa statistikat muajt e parë ka pas një rritje. Ndërkohë gjatë këtyre muajve të verës ka pas, pas fillimit të luftës, një stagnim, mos të them një rënie. Ka pas disa muaj rënie sa e kam pa nga statistikat e doganës… Krahasim me vitin e kaluar po them. Përkundrazi që 2025-a dhe 2024-a ka pas një rritje solide, 2026-ta nuk ka një rritje të importit. Kjo sigurisht për shkak që ka filluar konsumatori me shpenzuar më pak derivate të naftës për shkak të çmimit të lartë. Brenda vitit importon naftë dhe benzinë diku rreth mbi 900 milionë litra, që i bie diku afërsisht prej 2 deri 3 milionë litra në ditë, varet prej sezonës. Gjatë verës sigurisht dyfishohet kjo sasi apo trefishohet”, thotë ai.
Istogu thotë se një ndërhyrje e Qeverisë përmes uljes së akcizës do të mund të kishte efekt të drejtpërdrejtë te konsumatorët.
Ai vlerëson se ulja e pjesshme e akcizës do të mund të ndikonte në lehtësimin e kostos për qytetarët.
“Në çmimin e naftës, një pjesë e taksave janë fikse. Akciza është fikse për naftë dhe benzinë, mirëpo për shkak që TVSH-ja është në përqindje të vlerës së mallit plus kostot tjera të përfshira dhe akcizën, është rritur të hyrat në buxhetin e shtetit për shkak të rritjes së çmimeve të naftës… Te ne, nuk ka ndikuar dhe mesatarisht nga fillimi i luftës deri në ditën e sotme shteti ka marrë rreth 7 deri në 8 cent më shumë për litër sesa në kushtet normale para fillimit të luftës. Pra nëse shteti kishte intervenuar në uljen e akcizës për një pjesë, të paktën një pjesë të akcizës jo krejtësisht, kish pasur efekt të menjëhershëm edhe tek konsumatori i fundit…Shteti ka për naftë ka 36 cent akcizë ndërsa për benzinë 38.5 cent akcizë edhe TVSH-ja që aplikohet mbi të gjitha këto kosto. Kështu që ndërhyrja e shtetit mundet me pas një efekt pozitiv në kuptimin e lehtësimit të qytetarëve, konsumatorëve në fund”, thotë Istogu.

