Arabia Saudite mund të përballet me shterimin e rezervave të naftës për eksport nëse tubacioni kryesor i naftës drejt Detit të Kuq nuk rikthehet në funksion brenda pak ditësh.
Paralajmërimi vjen nga blerës dhe investitorë të tregut afatshkurtër të naftës, të cilët vlerësojnë se ndërprerja mund të heqë nga tregu më shumë se 4% të furnizimit global.
Një reduktim i mëtejshëm i eksporteve saudite do të thellonte krizën globale të furnizimit me naftë, në një kohë kur çmimet ndërkombëtare tashmë ndodhen në nivele rekord. Situata po shton presionet inflacioniste në ekonomitë e mëdha dhe ka ndikuar edhe në rritjen e rendimenteve të obligacioneve amerikane, të cilat kanë kaluar nivele të krahasueshme me periudhën e krizës financiare të vitit 2008.
