Qytetarët e Republikës Sërpska po votojnë të dielën për ta zgjedhur një president të ri, pasi presidenti i deritanishëm, Millorad Dodik, u shkarkua për shkak se e shpërfilli të dërguarin e posaçëm ndërkombëtar për paqen në Bosnje.
Dodiku u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska në gusht, pasi u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt, që e mbikëqyr marrëveshjen e paqes, e cila e ka mbajtur Bosnjën të bashkuar që nga përfundimi i luftës ndëretnike të viteve ‘90.
Zgjedhjet e parakohshme në Republikën Sërpska (RS) – një nga dy entitetet gjysmautonome të Bosnjës, përkrah federatës boshnjakokroate – nënkuptojnë se fituesi do të shërbejë për më pak se një vit, deri në zgjedhjet e përgjithshme në tetor 2026.
Zgjedhjet shihen si provë vendimtare e mbështetjes për partinë nacionaliste të Dodikut, e cila ka qenë në pushtet për gati dy dekada.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Rreth 1.2 milionë votues me të drejtë vote mund të zgjedhin mes gjashtë kandidatëve, por dy prej tyre konsiderohen favoritë kryesorë.
Sinisa Karan, ish-ministër i Brendshëm, është aleat i ngushtë dhe zgjedhja personale e Dodikut, i cili mbetet kreu i partisë së tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).
Grupi kryesor i opozitës, Partia Demokratike Serbe (SDS), ka zgjedhur Branko Blanusën, një profesor relativisht të panjohur të inxhinierisë elektrike, 56 vjeç, i cili e ka akuzuar vazhdimisht Dodikun dhe partinë e tij për korrupsion.
