Tregtia e energjisë elektrike mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mos jetë e funksionalizuar, ndërsa autoritetet kosovare kërkojnë zbatimin e një vendimi të Komunitetit të Energjisë, që sipas tyre do të ulte kostot e importit dhe do të lehtësonte shitblerjen rajonale.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) thotë se që nga viti 2020 nuk ka pasur tregti të energjisë elektrike mes dy vendeve.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë së Kosovës, kjo situatë i ka kushtuar Kosovës dhe rajonit më shumë se 150 milionë euro vetëm gjatë vitit 2024. Megjithatë, ministria nuk ka sqaruar metodologjinë mbi të cilën është llogaritur kjo shifër.
Për shkak të pamundësisë për të tregtuar energji përmes kufirit me Serbinë, Kosova përdor rrugë alternative për import dhe eksport. Kjo, sipas autoriteteve kosovare, rrit kostot e transmisionit dhe ushtron presion mbi linjat e tjera ndërkufitare.
Situata vazhdon edhe pas skadimit të afatit të 1 korrikut 2026, të përcaktuar nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë, i cili i kishte kërkuar Serbisë të ndërmerrte masat e nevojshme për të siguruar zbatimin e rregullave për tregtinë dhe kapacitetet ndërkufitare.
Importet përmes rrugëve më të shtrenjta
Nëse tregtia e energjisë elektrike me Serbinë do të ishte e mundur, Kosova do të mund të përdorte një rrugë më të drejtpërdrejtë për importet dhe eksportet e rrymës.
Aktualisht, energjia tregtohet përmes kufijve me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, duke sjellë tarifa shtesë të transmisionit.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në raste të caktuara kostoja e transmisionit të një megavati energji ka arritur deri në 800 euro. Ministria nuk ka dhënë hollësi se në cilat raste është regjistruar kjo shumë, apo sa do të kushtonte transmisioni përmes Serbisë.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa kompani të licencuara për furnizim dhe tregti të energjisë elektrike për ndikimin financiar të kësaj situate.
Përgjigje dërgoi vetëm Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), e cila nuk dha një shumë konkrete, por tha se kostoja e importit varet nga disa faktorë.
Kostoja e importit bëhet veçanërisht e rëndësishme gjatë periudhave kur Kosova ka nevojë për më shumë energji nga jashtë.
Prodhimi vendës nuk e mbulon gjithmonë kërkesën, sidomos gjatë muajve të dimrit, për shkak të ndërprerjeve dhe kufizimeve në termocentralet me qymyr, ndërsa prodhimi nga burimet e ripërtërishme ende nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e sistemit.
Vetëm gjatë vitit 2024, Kosova shpenzoi rreth 250 milionë euro për import të energjisë elektrike.
Pse nuk ka tregti me Serbinë?
Problemi lidhet me ndryshimin e mënyrës së funksionimit të sistemit energjetik të Kosovës, dhe me mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit për zbatimin e marrëveshjeve të energjisë.
Në fund të vitit 2020, KOSTT-i filloi të operojë si zonë e pavarur rregulluese.
Deri atëherë, Kosova ishte pjesë e një blloku rregullues me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Pas ndryshimit, ajo u bashkua me zonën rregulluese të Shqipërisë dhe aktivizoi linjën e interkoneksionit 400-kilovoltësh, të njohur si “Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri”.
Pas këtij ndryshimi, tregtia e energjisë elektrike në kufirin Kosovë-Serbi nuk u funksionalizua.
Çfarë thotë Kosova?
Ministria e Ekonomisë e Kosovës thotë se Serbia nuk e ka zbatuar vendimin e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, i cili kërkonte veprime për funksionalizimin e kapaciteteve ndërkufitare për tregti.
“Republika e Kosovës vazhdon të kërkojë zbatimin e plotë të këtij vendimi, pasi vënia në dispozicion e kapaciteteve ndërkufitare është e rëndësishme për mundësimin e tregtisë së energjisë elektrike, funksionimin e tregut rajonal të energjisë dhe integrimin e mëtejshëm të tregut energjetik të Evropës Juglindore”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Ekonomisë për Radion Evropa e Lirë.
Autoritetet kosovare thonë se pengesa kryesore është mungesa e koordinimit mes Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Serbisë (EMS) dhe KOSTT-it për ndarjen e kapaciteteve ndërkufitare.
KOSTT-i thotë se ka kërkuar vazhdimisht koordinim me palën serbe për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje konkrete.




