Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se ka formuar një komision ad-hoc për të zhvilluar hetim administrativ lidhur me rastin e bërë publik nga Aulonë Mehmeti për trajtimin e fëmijës së saj në Klinikën e Pediatrisë.
Sipas njoftimit të QKUK-së, drejtori i institucionit ka vendosur formimin e komisionit, i cili do të shqyrtojë në detaje të gjitha rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe çdo lëshim të mundshëm në aspektin menaxherial dhe teknik
QKUK ka bërë të ditur se, pas verifikimeve të para, janë konstatuar disa parregullsi, përfshirë edhe ato të pasqyruara në fotografitë e publikuara në media dhe rrjete sociale.
Për këto parregullsi janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin hierarkik menaxherial, ndërsa është suspenduar përkohësisht një punëtor i shërbimeve teknike”, thuhet në njoftim
Institucioni ka bërë të ditur gjithashtu se, për të garantuar një hetim të paanshëm administrativ lidhur me pretendimet për trajtimin e pacientit dhe sjelljen e stafit, janë ndërmarrë masa të përkohshme administrative edhe ndaj katër infermierëve.
