Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin paqësor që do të mbahet më 21 shtator, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, përfaqësuesit e Parlamentit Studentor thanë se marshi do të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe do të vazhdojë drejt sheshit “Skënderbeu”, ku në orën 12:00 studentët do të mbajnë edhe fjalime.
Flon Kastrati nga Parlamenti Studentor tha se marshi është organizuar si thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet, ndërsa bëri të ditur se studentët kanë përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika.
“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës e ndjen si obligim moral që ta ngrejë zërin për zhvillimet e fundit, pas vendimit të Gjykatës Speciale. Si studentë dhe si brez i ri, jemi të vetëdijshëm për luftën e drejtë të popullit tonë dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e vendit. Për këtë arsye, që nga dita e premte kemi bërë thirrje që të hënën, studentët, rinia dhe qytetarët t’i bashkohen marshit tonë paqësor, i cili do të fillojë prej orës 11:30 nga qendra e studentëve dhe vazhdon pastaj drejt sheshit Skënderbeu në ora 12:00, ku studentët do të mbajnë edhe fjalime. Ky marsh është thirrje për unitet dhe e ka në qendër unitetin, si e vetmja zgjidhje deri në fjala e fundit e drejtësisë. Marshi bën thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet në një moment të rëndësishëm për vendin tonë. Studentët e UP-së, së bashku me studentë nga universitetet e tjera publike dhe private, kanë përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika, i cili do të lexohet nga kolegët dhe do të publikohet pas përfundimit të marshit”, tha ai.
Ndërkaq, Donart Humolli nga Parlamenti Studentor tha se studentët e konsiderojnë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së të padrejtë dhe kërkoi mbështetje për ta deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ndjen obligim moral dhe përgjegjësi qytetare që të ngrejë zërin sot ndaj vendimit që e konsiderojmë thellësisht të padrejtë ndaj çlirimtarëve tanë. Nuk kemi se si të jemi të qetë derisa ata që na sollën lirinë, falë të cilëve ne sot studiojmë dhe arsimohemi të lirë, gjenden në Hagë”, tha ai.
Humolli kërkoi gjithashtu mbështetje financiare, politike dhe morale për të akuzuarit, ndërsa bëri thirrje për unitet.
