Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë antidrogë në rajonin e Prishtinës, duke goditur një grup të organizuar kriminal që dyshohet për trafikim dhe shpërndarje të kokainës.
Operacioni, i koduar “Heshtja”, është zhvilluar më 14 nëntor, pas një hetimi të gjatë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas njoftimit të Policisë, hetimet kanë zbuluar dyshimet për funksionimin e një grupi të organizuar me strukturë hierarkike, ku përfshiheshin persona në pozita drejtuese dhe shpërndarës të narkotikëve në rrugë.
Gjatë operacionit, policia ka bastisur disa lokacione dhe ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë, tableta të dyshuara ekstazie dhe një substancë të panjohur.




