Paqëndrueshmëria politike në vend nuk po mbetet vetëm në sallat e Kuvendit dhe në përplasjet mes partive. Pasojat e saj, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, po ndihen drejtpërdrejt edhe në ekonominë e vendit, në klimën e investimeve dhe në mundësinë e Kosovës për të përfituar nga fondet evropiane.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Rafuna ka deklaruar se për shkak të situatës politike kanë ngecur një sërë reformash të rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme për krijimin e një ambienti të favorshëm për bizneset dhe investitorët.
“Kjo krizë politike ka pasur ndikim shumë negativ në klimën e të bërit biznes. E para, kemi ngecur në reformat e brendshme, sidomos në reformat politiko-fiskale, në reformat e sistemit të arsimit, në reformat e sundimit të ligjit, në reformat në sistemin shëndetësor. Të gjitha këto janë, si me thënë, një lloj parakushti për me krijuar një ambient të mirë të bërit biznes në Republikën e Kosovës”, ka thënë Rafuna.
Sipas tij, pasiguria politike ndikon edhe te investitorët e huaj, të cilët, para se të investojnë në Kosovë, kërkojnë garanci për stabilitetin politik dhe juridik.
“Më pas, në planin e jashtëm, çdo investitor që vjen për me investuar në Kosovë kërkon një siguri politike. Kur them siguri politike, në kuptimin se sa është e qëndrueshme një qeveri në marrjen e vendimeve, në ndryshimin e ligjeve apo në sjelljen e ligjeve të reja. Më pas ajo siguria juridike: se sa shpesh ndryshohen ligjet, sa ka konsultim me biznesin gjatë ndryshimit të atyre ligjeve, dhe vijnë elementet e tjera”, është shprehur ai.
Rafuna ka vlerësuar se bllokada politike ka krijuar një situatë në të cilën Kosova nuk po arrin të ndërtojë një ambient të qëndrueshëm për zhvillimin e sektorit privat.
“Kështu që ne nuk e kemi, kjo bllokadë politike i ka sjellë të gjitha këto që mos me pasur një ambient të mirë të bërit biznes në Kosovë”, ka deklaruar kryetari i OEK-ut.
Duke folur për Planin e Rritjes dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja, Rafuna ka paralajmëruar se zvarritja e situatës politike po i kushton Kosovës edhe në aspektin financiar.
“Deri më sot ne kemi humbur mbi 50 milionë. Ne si Odë Ekonomike që kemi të dhënat, edhe pse flitet që shkon deri në 100 milionë, po duhet me prit prej Komisionit Evropian me pasë saktë se sa është vlera që Kosova i ka humb, është e dhimbshme”, ka thënë Rafuna për Ekonomia Online.
Sipas tij, Kosova ka nevojë të madhe për investime dhe për përfitimin e fondeve evropiane, ndërsa mosrealizimi i reformave po e dëmton vendin jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në rrugën e integrimit evropian.

