Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka ngritur shqetësime lidhur me planet për hapjen e një radioje nga Policia e Kosovës, duke paralajmëruar për rrezikun e propagandës shtetërore, ndikimit politik dhe kostos financiare për buxhetin e vendit.
Përmes një reagimi publik, Kusari ka bërë të ditur se Policia e Kosovës i ka konfirmuar se është duke bërë përgatitje për hapjen e radios, ndërsa çështja mund të jetë në agjendën e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), në kuadër të një kërkese për lejimin e transmetimit eksperimental.
“Po e ngre këtë shqetësim, me shumë kujdes, meqë nuk e kam ende pasqyrën e plotë të situatës. Shpresoj që mediat do të më ndihmojnë ta monitoroj këtë çështje”, ka shkruar Kusari.
Sipas saj, më 10 korrik, KPM-ja e kishte vënë në konsultim publik Rregulloren për Transmetime Eksperimentale, të cilën e kishte miratuar më 7 gusht.
Kusari pretendon se komentet e palëve të interesuara nuk janë marrë parasysh sa duhet gjatë konsultimit publik, duke ngritur dyshime për mënyrën se si është zhvilluar ky proces.
Ajo ka kritikuar edhe përmbajtjen e rregullores, duke e cilësuar atë të paqartë dhe lehtësisht të keqpërdorshme.
“Rregullorja për Transmetime Eksperimentale është njëra prej rregulloreve më të dobëta që kam parë. Ajo nuk e ka një qëllim të qartë dhe mund të keqpërdoret lehtësisht nga kushdo që siguron licencë për transmetime eksperimentale”, ka deklaruar Kusari.
Juristja e mediave ka thënë se më 9 tetor, KPM-ja publikoi agjendën e mbledhjes, ku në pikën e nëntë ishte përfshirë një kërkesë për lejimin e transmetimit eksperimental. Ajo ka bërë të ditur se disa burime e kanë informuar se kërkesa mund të jetë paraqitur nga Policia e Kosovës.
Kusari ka paralajmëruar se, nëse KPM-ja e lejon këtë transmetim, duhet të ketë sqarime të qarta për qëllimin e radios, mënyrën e menaxhimit dhe përgjegjësinë editoriale.
Sipas saj, ekziston rreziku që një medium i financuar dhe menaxhuar nga shteti të shndërrohet në mjet të propagandës politike.



