Qeveria e Kosovës pas dënimit të ish-presidentit Hashim Thaçi në rastin e dytë ndaj tij dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë.
Në reagim thuhet se se kritikat e saj ndaj Gjykatës Speciale “mbeten të qëndrueshme”.
Ekzekutivi në Kosovë doli për rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimin e vendimeve, por shtoi se kjo s’e përjashton të drejtën për të ngritur shqetësime për funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
“Sot, në Dhomat e Specializuara në Hagë, u shpall aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë. Pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit. Megjithatë, kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Në këtë kuptim, kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Qeveria tha se “besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato”.
“Prandaj, angazhimi ynë për sundimin e ligjit dhe insistimi për respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor: drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, thuhet në reagim.