Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula tha se prokuroritë përkatëse nëpër komuna kanë përfunduar pothuajse të gjitha intervistimet dhe se ka mbetur vetëm një numër i vogël i komunave për ta përfunduar këtë fazë hetimore.
Pula konfirmoi për RTV21 se së shpejti prokuroria do të ketë rezultate konkrete lidhur me dyshimet për manipulime me vota.
“Pothuajse në të gjitha komunat janë duke u ndërmarrë veprime hetimore. Po intervistohen komisioner dhe hetohen, disa prej tyre kanë përfunduar intervistimin, por rezultatet përfundimtare do t’i kemi ditët në vijim, kur të mblidhen të gjitha intervistat e tyre nga prokurorët dhe hetuesit e rasteve të komunave të caktuara. Pardje kanë nisur hetimet në Dragash, dje në Suharekë, sot prokuroria në Gjakovë ka nisur hetimet në Rahovec, në Gjilan pothuajse kanë përfunduar, në Mitrovicë gjithashtu kanë përfunduar në Prishtinë kanë mbetur edhe komuna e Prishtinës në përfundim e sipër kështu që jemi në përfundim të të gjithë grumbullimit të informatave, intervistimit të komisionerëve dhe kryesuesve të qendrave të votimit.” , tha Pula.

