Prifti Don Dominik Kukeli ka reaguar pas polemikave për vendosjen e mozaikut kushtuar Nënë Terezës në qendër të Prishtinës, duke bërë të ditur se vepra artistike është përfunduar plotësisht dhe është e gatshme për përurim, por vendosja e saj po përballet me, siç i ka cilësuar ai, “VËSHTIRËSI TË MËDHA POLITIKE”.
Përmes një postimi në Facebook, autori i mozaikut ka shprehur shqetësimin për pengesat që kanë pamundësuar vendosjen e tij në lokacionin e paraparë, duke i udhëzuar qytetarët që për zhvillimet e mëtejshme të përcjellin njoftimet e Komunës së Prishtinës.
“Miq të dashur, Mozaiku kushtuar Nënë Terezës është kryer në tërësi dhe është gati për përurim. Megjithatë, ashtu siç ju tashmë mund ta keni parë edhe në media dhe në portale, vendosja e mozaikut në lokacionin e caktuar nga institucionet kompetente, është duke hasur në VËSHTIRËSI TË MËDHA POLITIKE. Për vijueshmërinë e ngjarjes, ju këshilloj të ndiqni njoftimet nga përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, nën patronazhin e të cilëve është i organizuar ky event.”, shkroi ai në Facebook.
Mozaiku ishte paraparë të vendosej pranë objektit të Ministrisë së Ekonomisë, në qendër të Prishtinës, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit. Projekti ishte miratuar nga Komuna e Prishtinës, e cila kishte deklaruar se ishin përmbushur kushtet dhe procedurat për realizimin e tij.


