Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, e ka pranuar raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale. Ky raport është pranuar, vonë pasditen e së mërkurës nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare.
Vet Ministri Hoti e konfirmoi se në gjetjet e këtij raporti, konstatohet se në këtë rast është fajtore QPS-ja, por edhe institucione të tjera, andaj paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.
“Raportin çuditërisht e kam pranuar sot. Njëra prej të gjeturave të raportit thotë që në vendimin e Gjykatës të vitit 2023 i ka obliguar Qendrën për Punë Sociale për monitorimin e familjes në raport me fëmijët. Pra, e ka obliguar Qendrën për Punë Sociale në raport edhe me prindërit për shëndetin mendor të tyre, që QPS-të nuk merren me shëndetin mendor, janë Qendrat për Shëndetin Mendor që merren me shëndetin mendor, jo QPS-së. Sidoqoftë, është nën hetim prej Prokurorisë. Çka mund të ndërmarrim tjetër ne është një propozim ndaj kryetarit të komunës së Lipjanit që me i qit në masa disiplinore të gjithë stafin e Qendrës për Punë Sociale që është në Lipjan dhe këtë do ta bëjmë nesër, sepse sot është jashtë afatit të punës dhe të shqyrtohen nëse ata vërtetë i kanë ndjekur masat”, shtoi ai.
Ministri Hoti në këtë intervistë është pyetur edhe për shkeljet tjera që ka konstatuar ky raport, për çka është rezervuar në përgjigje.
“Nuk mund t’i them të gjitha shkeljet që konstaton për shkak se është nën hetim prej prokurorisë. Por, të tregova çka konstaton raporti, një është që çështje ndërministrore, problemi nuk është vetëm te QPS-ja, por edhe te disa institucione tjera. A ka shkelje prej zyrtarëve komunal të QPS-së ose neglizhencë, mund ta konfirmoj që po, por më shumë nuk mund të flas në këtë aspekt. Këto dy veprime do të ndërmerren prej meje, neve, kërkesën për ta ftuar Donika Gërvallën që të ftojë këtë grupin koordinues dhe e dyta që t’i propozohet kryetarit të komunës që të ndërmerr masa disiplinore zyrtarëve aty. Licencën ndaj shefes së QPS-së, menaxheres së rastit, ne e kemi përgatitur dhe jemi për të ja tërhjekur por për një gjë të tillë na duhet koordinim ndërministror e ndoshta edhe prokurorisë…Jo qendrës, menaxheres së rastit dhe shefes së QPS-së nëse 100 për qind vërtetohet që nuk i kanë ndërmarrë veprimet që i ka obliguar gjykata në vitin 2023”, ka thënë ai.
Ai paralajmëroi se do të ftohet grupi ndërministror dhe po ashtu do të kërkohet nga kryetari i Lipjanit që të vendos masa disiplinore ndaj stafit të kësaj qendre.
