Policia e Kosovës tha se ka ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e sigurisë për Marshin për Liri që do të mbahet sot në sheshet kryesore të Prishtinës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK’së, katër ditë para shpalljes së vendimit.
“Policia e Kosovës, lidhur me marshin solidarizues paqësor, i cili do të mbahet sot në orën 14:00, në sheshet kryesore: ‘Zahir Pajaziti’, ‘Nëna Terezë’ dhe ‘Skënderbeu’, me qëllim të garantimit të sigurisë së pjesëmarrësve në marsh, qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e marshit para, gjatë dhe deri në përfundim të marshit”.
Për këtë marsh, policia paralajmëroi edhe bllokimin e disa rrugëve kryesore të kryeqytetit, ndërsa tha se sipas nevojës ka mundësi të mbyllen edhe të tjera gjatë ditës.
“Sipas planifikimeve policore me qëllim të mbarëvajtjes së marshit rrugët të cilat do të bllokohen për qarkullim në kryeqytet janë rrugët: Agim Ramadani, Luan Haradinaj dhe Enver Zymberi, por varësisht nevojës operative mund të ketë edhe rruge të tjera në të cilat mund të ndërpritet qarkullimi përkohësisht”.




