Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bërë përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e protestës së veteranëve të UÇK-së, që është paralajmëruar të nisë sot në orën 12, në sheshet e Prishtinës.
Për këtë, është zhvilluar takim koordinues me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Me anë të një njoftimi për media, policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të respektojnë ligjin dhe udhëzimet e policisë. Nga ta është kërkuar të tregojnë maturi, të mos përdorin maska dhe të mos hedhin mjete të forta.
“Me qëllim të garantimit të rendit e sigurisë publike, mbrojtjes së jetës dhe pronës si dhe ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve e pjesëmarrësve në protestë, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në çdo protestë që të respektojnë dispozitat ligjore dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes e maturi gjatë protestimit, të mos hedhin gjësende e mjete të forta, të mos përdorin maska dhe të kontribuojnë që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, është bërë e ditur se për shkak të protestës mund të ketë kufizime të përkohshme të trafikut në disa rrugë të kryeqytetit ndërsa u tha se njësi policore do të angazhohen, sipas nevojës, për riorientimin e automjeteve në rrugë alternative.
“Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në komunikatë, në të cilën falënderohen qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim.