Prokurori i rastit, Atdhe Dema, ka dhënë detaje të reja lidhur me aksionin e zhvilluar mbrëmë kundër trafikimit të narkotikëve, i cili rezultoi me arrestimin e pesë personave dhe konfiskimin e mbi 37 kilogramëve substancë të dyshuar narkotike.
Dema ka bërë të ditur se vlera e sasisë së konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 550 mijë euro, ndërsa ka theksuar se aksioni është rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Ai ka thënë se bëhet fjalë për një grup të organizuar, i dyshuar për përfshirje në veprat penale që lidhen me blerjen dhe shpërndarjen e narkotikëve.
“Bëhet fjalë për një grup mirë të organizuar dhe lidhet me veprën penale të blerjes dhe shpërndarjes së narkotikëve”, ka deklaruar prokurori Dema.
Sipas prokurorit, lloji dhe sasia e saktë e substancave do të konfirmohen pas përfundimit të procedurave të nevojshme, ndonëse dyshimet fillestare janë se bëhet fjalë për heroinë.
