Policia e Kosovës ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët që ndjehen se janë mashtruar nga tre të dyshuar se kinse do t’u japin donacione, mund të paraqiten në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se tre të dyshuarit, që u arrestuan më 10 qershor, dyshohet se kanë mashtruar dhjetë gra, ish-pjesëmarrëse në luftërat e Sirisë dhe Irakut, duke ju premtuar donacion në emër të integrimit të tyre në shoqërinë kosovare.
“Lidhur me Komunikatën e datës 10.06.2025 (shih më poshtë), prokurori i lëndës bazuar në informacionet e siguruar, nën dyshimin se të dyshuarit e përfshirë në atë rast, kanë mashtruar edhe shumë persona të tjerë, ka lëshuar autorizimin ku është kërkuar nga ne që të behet kërkesë publike për qytetaret e vendit të cilët ndihen të mashtruar nga këta persona të paraqiten në polici (zyrat e DHEKEK) për intervistim në cilësinë e palës së dëmtuar”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë të arrestuarit me inicialet, R.D., V.G. dhe A.H. dyshohet se i kanë bindur të tjerët që të aplikojnë për marrjen e donacioneve në një Institucion mikrofinanciar me seli në Prishtinë duke ju prezantuar se ato do të marrin donacion, por që në realitet kanë nënshkruar kontrata për kredi në vlerë prej 4 mijë e 500 deri në 5 mijë euro.
I dyshuari me iniciale (R.D.) ka identifikuar viktimat dhe dërguar ato në institucionin mikrofinanciar për aplikim.