Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Lajme

Picula: Serbia e Vuçiçit është destabilizuesi kryesor i marrëdhënieve, funerali i një krimineli të dënuar lufte duhet të ketë pasoja

GD
Gazeta Demos9 shtator 2026 në 09:40
Picula: Serbia e Vuçiçit është destabilizuesi kryesor i marrëdhënieve, funerali i një krimineli të dënuar lufte duhet të ketë pasoja

Eurodeputeti kroat dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka kërkuar një ndryshim të qasjes së Bashkimit Evropian ndaj autoriteteve në Beograd, pas funeralit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.

Picula tha se Serbia po zgjedh rrugën e saj, por nëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të refuzojë revizionizmin historik dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Sipas tij, një politikë më e ashpër ndaj Beogradit është e nevojshme, pasi “Serbia e Vuçiçit është destabilizuesi kryesor i marrëdhënieve në Evropën Juglindore”.

Në një paraqitje në emisionin “Dnevnik” të HRT-së, Picula vlerësoi se varrimi i Mlladiqit, i dënuar përfundimisht për gjenocid, duhet të shërbejë si pikë kthese në marrëdhëniet e BE-së me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

“Varrimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, i cili u dënua përfundimisht për gjenocid, duhet ta ndryshojë në thelb politikën e gjatë të paqësimit ndaj Aleksandar Vuçiçit nga Bashkimi Evropian”, tha Picula.

Ai kritikoi veçanërisht Komisionin Evropian dhe disa prej shteteve anëtare më me ndikim për qasjen e tyre ndaj Beogradit.

“Udhëheqësit evropianë duhet më në fund të kalojnë nga faza e shokut në fazën e reagimit ndaj asaj që Vuçiç ka bërë vazhdimisht për vite me radhë. Imuniteti i tij nga sanksionet duhet më në fund të hiqet dhe politika e nënshtrimit ndaj regjimit duhet të refuzohet”, u shpreh ai.

Sipas Piculës, një qeveri e tillë nuk mund të trajtohet më si një partner i privilegjuar dhe i paprekshëm i Brukselit në Ballkanin Perëndimor.

Ai foli edhe për zhvillimet në Bosnje e Hercegovinë pas funeralit të Mlladiqit, ku Ministri i Punëve të Jashtme, Elmedin Konakoviç, njoftoi dëbimin e dy personave nga Ambasada e Serbisë, ndërsa në ceremoninë mortore morën pjesë edhe përfaqësues të udhëheqjes politike të Republika Srpskas.

“Funerali i një krimineli të dënuar lufte duhet të ketë pasoja për marrëdhëniet në Evropën Juglindore, e cila ende nuk i ka përthithur as përafërsisht pasojat e agresionit. Bosnja e Hercegovina është gjithashtu në periudhën parazgjedhore dhe kjo i hedh benzinë zjarrit në marrëdhëniet tashmë të tensionuara në vend”, tha Picula.

Ai theksoi se në Parlamentin Evropian po rritet mbështetja për masa më të ashpra ndaj Serbisë. Përfaqësues të katër grupeve kryesore politike në PE i kanë dërguar letër Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, duke kërkuar reagim nga Komisioni Evropian, ndërsa është shtuar numri i zërave që kërkojnë ngrirjen ose pezullimin e procesit të anëtarësimit të Serbisë.

Picula tha se një pjesë e eurodeputetëve e kanë mbështetur prej vitesh një mundësi të tillë dhe se tashmë vëmendja është te Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas tij, rëndësi të veçantë do të ketë nëse von der Leyen, njësoj si Marta Kos, do ta anulojë vizitën e planifikuar në Beograd dhe çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj autoriteteve serbe në fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit në Strasburg.

“Ka ardhur koha për të ndryshuar situatën shumë qartë dhe për të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër regjimit në Beograd”, theksoi Picula.

I pyetur nëse ende ka hapësirë për diplomaci dhe nëse Beogradi mund të heqë dorë publikisht nga glorifikimi i Mlladiqit, eurodeputeti kroat tha se nuk është optimist.

“Vuçiç kishte 12 vjet për të realizuar atë që premtoi të bënte në Serbi. Asgjë nga kjo nuk ndodhi. Është e vështirë të pritet që Vuçiç të ndryshojë diçka deri në ditën e zgjedhjeve. Hapësira për diplomaci po ngushtohet”, përfundoi Picula.

duhetpiculandaj

Të ngjashme

Rudolph: Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për Asociacionin, BE të procedojë me aplikimin për anëtarësim

Rudolph: Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për Asociacionin, BE të procedojë me aplikimin për anëtarësim

08:35
Pacolli reagon pasi Peci ia ndërlidhi emrin me dosjen e atentatit ndaj Jusuf Gërvallës: Do t’iu drejtohem autoriteteve në Gjermani

Pacolli reagon pasi Peci ia ndërlidhi emrin me dosjen e atentatit ndaj Jusuf Gërvallës: Do t’iu drejtohem autoriteteve në Gjermani

19:50
Asambleisti më i votuar i PDK-së në Drenicë reagon ashpër: Në çdo fushatë, gojën e kanë plot me UÇK-në, ndërsa aty ku duhet të tregojnë veten, i harrojnë çlirimtarët

Asambleisti më i votuar i PDK-së në Drenicë reagon ashpër: Në çdo fushatë, gojën e kanë plot me UÇK-në, ndërsa aty ku duhet të tregojnë veten, i harrojnë çlirimtarët

22:05
Macroni ashpërson kufizimet ndaj protestave

Macroni ashpërson kufizimet ndaj protestave

19:37

Më shumë nga Lajme

  • 12:23Prokuroria kërkon paraburgim për nëntë të dyshuar për mashtrime me Call Center në Prishtinë
  • 11:53"Ky është një moment përcaktues", Çitaku: Votoni Koalicionin Shqiptar me numrin 17
  • 11:34Profesionistët shëndetësorë paralajmërojnë protestë, i drejtohen Qeverisë me disa kërkesa
  • 11:33Zgjedhjet në Serbi, Ali Ahmeti: Pjesëmarrja masovike është një mundësi për të forcuar përfaqësimin demokratik të shqiptarëve
  • 11:11Presidentja fton banorët e Luginës: Votoni për sa më shumë shqiptarë në Kuvendin e Serbisë