Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe të votojnë Koalicionin Shqiptar me numrin 17.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka shkruar për rëndësinë e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, duke thënë se numri më i madh i deputetëve shqiptarë nënkupton më shumë mundësi për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Sa më shumë deputetë shqiptarë në Parlament, aq më shumë përfaqësim, mbrojtje, të drejta e fuqi për shqiptarët. Aq më shumë mundësi për t’u përballur me politikat diskriminuese dhe përndjekëse ndaj tyre.Prandaj, nesër, secili shqiptar e secila shqiptare jo vetëm të votojë, por edhe të bëhet pjesë e mobilizimit, që çdo votues shqiptar të dalë në zgjedhje. Ky është një moment përcaktues për shqiptarët atje. Le të jetë një ditë e madhe për të gjithë! Suksese!”, shkroi Çitaku.