Raportuesi në Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, vlerësoi se qëndrimi i Komisionit Evropian ndaj pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka qenë “padrejtësisht i butë”, duke shtuar se pret që organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian “të heqë dorezat – ose të paktën njërën prej tyre – kur flet për Serbinë”.
Picula tha për televizionin N1 se shtyrja e zgjidhjes politike për “gjendjen e pashpallur të jashtëzakonshme në Serbi” mund të rrisë rrezikun e përplasjeve më serioze.
“Për një kohë të gjatë, qëndrimi i Bashkimit Evropian – në fakt, para së gjithash i Komisionit Evropian – ndaj Beogradit të Vuçiqit ka qenë padrejtësisht i butë. Brukseli për vite me radhë ka injoruar shenjat gjithnjë e më të qarta të forcimit të autokracisë në Serbi dhe dukuritë që lidhen me të, si korrupsioni, dobësimi i institucioneve të shtetit të së drejtës dhe braktisja e vlerave themelore mbi të cilat mbështetet rendi evropian”, tha Picula.
Ai shtoi se Vuçiq për një kohë të gjatë ka pasur mbështetjen e politikanëve të njohur evropianë, para së gjithash ish-kancelares gjermane Angela Merkel, por edhe të disa politikanëve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, duke shtuar se “ky qëndrim po ndryshon gradualisht”.
“Unë pres që nesër, të martën, gjatë publikimit të raportit të përbashkët të Komisionit Evropian për gjendjen në vendet kandidate, këtë herë ai të heqë dorezat – ose të paktën njërën prej tyre – kur të flasë për Serbinë, gjë që nuk ka ndodhur vitet e kaluara”, tha Picula.
Komisioni Evropian në raportin e tij për përparimin e Serbisë ka theksuar se vendi vazhdon të mbetet prapa sa i përket përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, pasi nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Po ashtu, është vënë në pah polarizimi gjithnjë e më i madh në Serbi, si pasojë e valës së protestave masive që po zgjasin që një vit.
Parlamenti Evropian në tetor miratoi një rezolutë mbi polarizimin dhe represionin në Serbi, me të cilën mbështetet e drejta e studentëve dhe qytetarëve për protesta paqësore dhe dënohet ashpër vala e dhunës nën patronazhin e shtetit, aktet e frikësimit dhe arrestimet arbitrare.
