Kriza rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës po thellohet pas përplasjes së re mes partive parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve. PDK-ja ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive, të caktuar për të dielën në orën 10:00, ndërsa paralajmëron se situatën e krijuar do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Vendimi i PDK-së vjen pas zhvillimeve të së premtes, kur seanca u ndërpre dy herë për shkak të mospajtimeve lidhur me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi për mospjesëmarrje është marrë pas situatës së krijuar në Kuvend, duke akuzuar Vetëvendosjen se nuk e ka respektuar marrëveshjen për votimin e nënkryetarëve.
Sipas saj, PDK-ja është duke përgatitur edhe kërkesën për Gjykatën Kushtetuese.
“Tani ne kemi pasur një takim ku e kemi diskutuar këtë çështje dhe do të dorëzohet në afatin më të shkurtër kohor, pra sa më shpejt që ne mund ta përgatisim si lëndë për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Musliu-Shoshi.
Përplasja nisi pas votimit të nënkryetarit nga radhët e Vetëvendosjes, Ardian Gola. Kur erdhi në rend propozimi i PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitaku, deputetët e Vetëvendosjes abstenuan, duke bërë që ajo të mos marrë votat e nevojshme.



