Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit ndaj dy zyrtareve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gylsen Jahiri dhe Fatma Shufta, duke u caktuar atyre masën e arrestit shtëpiak për një muaj, ndërsa shtetasit turk Dervis Keleci i është caktuar paraburgim. Aktvendimin e Gjykatës e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktvendimit, Gylsen Jahiri, zyrtare për pranimin e kërkesave për lejeqëndrim në Drejtorinë për Shtetësi, Azil dhe Migrim të MPB-së, dhe Fatma Shufta, zyrtare e lartë për financa në MPB, dyshohen se në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer në vazhdimësi veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Dervis Keleci dyshohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjykata ka vendosur që dy zyrtaret të qëndrojnë në arrest shtëpiak deri më 21 gusht 2026, ndërsa u janë konfiskuar edhe dokumentet e udhëtimit.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se veprat janë kryer në koordinim ndërmjet personave zyrtarë dhe një personi privat, me qëllim të sigurimit të dobisë pasurore. Në kërkesën për paraburgim thuhet se gjatë hetimeve janë siguruar deklarata dëshmitarësh, raporte të vëzhgimit, dokumente të sekuestruara dhe prova të mbledhura përmes masave të veçanta hetimore.
Gjithashtu, janë sekuestruar telefonat mobilë të të dyshuarve për ekzaminim forenzik, si dhe dokumente të tjera që do t’i nënshtrohen analizës gjatë vazhdimit të hetimeve.
Sipas Prokurorisë, Fatma Shufta në deklarimin e saj ka pranuar kryerjen e veprës penale, ndërsa Gylsen Jahiri dhe Dervis Keleci kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për të tre të dyshuarit, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe prova, si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.
Sipas prokurorit, hetimet ndodhen në fazën fillestare dhe të dyshuarit, nëse mbrohen në liri, mund të ndikojnë në dëshmitarë, të koordinojnë deklaratat ose të pengojnë zhvillimin e mëtejmë të procedurës penale.
