Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit. Sipas Kushtetutës, seanca duhet të thirret brenda 30 ditëve nga sot. Legjislaturës së re, në të cilën Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e ulëseve, do t’i duhet të zgjedhë krerët e tri institucioneve më të larta në vend, Parlamentit, Qeverisë – bashkë me anëtarët e saj – e Presidencës.
Për të përmbyllë tërë këtë proces të formimit të institucioneve e për të shmangur zgjedhjet e reja, partive politike do t’i duhet konsensusi që s’e patën në më pak se një vit e gjysmë, periudhë brenda së cilës u mbajtën tri palë zgjedhje. Për gjetjen e këtij konsensusi veçse u intensifikuan thirrjet sot.
“Sot, nevoja për këtë kulturë politike dhe për aftësinë për kompromis është më e madhe se kurrë, sepse Kosova ka përpara një dritare mundësish që nuk duhet humbur”.
Kështu shkroi ushtruesja e detyrës së shefes së Bashkimit Europian në Kosovë, Eva Palatová, në një opinion të publikuar sot ku thotë se tashmë është koha për të qeverisur.
Duke sjellë sërish në vëmendje thirrjet e liderëve të BE’së që Kosova të ndërtojë institucionet e saj dhe të përfitojë nga momentumi i krijuar në BE për zgjerimin, Palatova kujtoi edhe përgjegjësinë që kanë partitë politike, sidomos partia e parë.
“Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, prioritetet janë të qarta: partia fituese mban një përgjegjësi të veçantë për t’u angazhuar me forcat politike në të gjithë spektrin politik, në mënyrë që të ndërtojë kompromiset e nevojshme, të cilat jo vetëm do të mundësojnë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, por edhe zgjedhjen e Presidentit, duke respektuar plotësisht kërkesat kushtetuese dhe shumicat e nevojshme” tha ajo.
