Në “luftën politike” mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe presidentes, Vjosa Osmani, një heshtje “shurdhuese” e Donika Gërvallës po vërehet qartazi.
Ani pse kryetare e “GUXO”, siç duket Donika Gërvalla nuk po guxon të flas, e as t’i jap mbështetje ish-kryetares dhe ish-bashkëpartiakes, Vjosa Osmani, transmeton lajmi.net.
Reagimi i vetëm i Gërvallës në këtë temë është shpërndarja e komunikatës së partisë, ku flitej për dorëheqjen e deputetit Haxhi Avdyli dhe në fund të komunikatës thuhej që “Guxo” nuk është pjesë e linçimeve ndaj Osmanit.
“Në fund, për shkak të disa pretendimeve për motivet e dorëheqjes, e ndjejmë obligim të konfirmojmë se askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës. Partia Guxo angazhohet me ngulm për respektimin e rendit, ligjit dhe kushtetueshmërisë në të gjitha zhvillimet në vend duke përfshirë edhe zhvillimet e fundit.”, thuhej në komunikatë.
20 MAJ – 2016
Kjo datë shënon ndoshta fillimin e shoqërisë politike mes Donika Gërvallës dhe Vjosa Osmanit. Me këtë datë, Donika Gërvalla ishte tërhequr zvarrë nga mbledhja e LDK-së dhe Vjosa Osmani ishte e vetmja që në shenjë proteste kishte lëshuar mbledhjen, e i kishte dalë përkrah Gërvallës.
Gërvalla atë kohë ishte kryetare e degës së LDK-së në Gjermani.
5 nëntor 2020
Vjosa Osmani në këtë datë e themeloi Listën Guxo pas largimit nga LDK. Ajo e themeloi këtë listë në bashkëpunim me Donika Gërvallën dhe Faton Pecin, dy të larguar nga LDK.
Pasi u bë Presidente e vendit, kjo listë i mbeti në udhëheqje Donika Gërvallës dhe Faton Pecit, të cilët me 14 shkurt 2022 e regjistruan si parti politike.
