Gazetari dhe publicisti kroat Zvonimir Despot ka tërhequr vëmendjen te qëndrimet politike të Radomir Saiçiqit, kandidatit presidencial të Listës Studentore në Serbi, duke paralajmëruar se ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe ndryshimin e politikës nacionaliste të Serbisë ndaj vendeve fqinje.
Në një analizë të publikuar në rrjetin social X, Despot vlerëson se në një pjesë të opinionit publik kroat po krijohen pritshmëri të mëdha nga lëvizja studentore serbe, me bindjen se largimi i Aleksandar Vuçiqit nga pushteti do t'i zgjidhte edhe problemet që Kroacia ka me Serbinë.
Megjithatë, sipas tij, duhet bërë dallimi mes asaj se kush do ta udhëheqë Serbinë dhe politikës që ajo do të ndjekë ndaj fqinjëve të saj, përfshirë Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë dhe Malin e Zi.
Despot thekson se Saiçiqi nuk është një figurë periferike politike, por një person me ndikim akademik dhe politik. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, profesor në Fakultetin e Kimisë në Beograd dhe një nga themeluesit e Listës Studentore.
Sipas publicistit kroat, Saiçiqi kishte shpallur fitoren zgjedhore të kësaj liste më 25 tetor, ndërsa forca politike që qëndron pas kandidaturës së tij kishte marrë pothuajse 53 për qind të votave dhe 140 mandate në zgjedhjet parlamentare
Një nga çështjet që Despot e ka veçuar është edhe një rruzare që Saiçiq mban në dorë, e cila në rrjetet sociale në Serbi është identifikuar nga disa komentues si lestovka, një rruzare tradicionale prej lëkure e lidhur me traditën e ortodoksisë ruse dhe besimtarët e vjetër rusë.
Despot shpjegon se kjo rruzare lidhet edhe me kultin e Shën Serafimit të Sarovit, i cili në Rusinë bashkëkohore është shndërruar në një simbol të lidhjes mes ortodoksisë ruse dhe kompleksit bërthamor.
Në këtë kontekst, ai i referohet edhe librit të politologut Dmitry Adamsky, “Russian Nuclear Orthodoxy: Religion, Politics, and Strategy”, të botuar më 2019, i cili trajton ndërthurjen e Kishës Ortodokse Ruse, aparatit ushtarak dhe industrisë bërthamore.
Publicisti kroat, megjithatë, thekson se vetë mbajtja e kësaj rruzareje nuk përbën dëshmi se Saiçiqi e mbështet këtë ideologji dhe as nuk është konfirmuar se çfarë kuptimi personal i jep ai asaj.
Sipas Despotit, për të kuptuar qëndrimet politike të kandidatit të Listës Studentore nuk ka nevojë të bëhen supozime, pasi ato janë shprehur publikisht.
Qëndrimet e Saiçiqit për Kosovën, Bosnjën dhe Rusinë
Despot shton se Saiçiqi e konsideron Kosovën territor të okupuar përkohësisht, ndërsa kufirin ndërkombëtarisht të njohur ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës e ka cilësuar si “fiktiv dhe gjeometrik”.
Po ashtu, sipas tij, kandidati i Listës Studentore vlerëson se Rusia angazhohet më shumë për integritetin territorial të Serbisë sesa që ka bërë deri më tani vetë pushteti në Beograd.


