Pesë takime që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka mbajtur me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk e kanë përcaktuar rrugën e ardhshme në skenën politike: zgjedhjen e presidentit apo dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.
Të martën (3 mars), Kurti takoi për herë të tretë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por se sërish nuk u gjet një zgjidhje. Ai e cilësoi takimin konstruktiv, por nuk dha detaje. U shpreh se për gjithçka “do të njoftojnë së shpejti”.
LDK-ja pas kësaj mbajti një mbledhje të deputetëve të saj. Pas mbledhjes, u përsëritën dy opsionet e saj, ose president konsensual me pajtim të të gjitha partive, ose marrëveshje klasike VV-LDK.
E para takimit të tretë me Abdixhikun, Kurtit për takime të tjera “ia mbylli dyert” Bedri Hamza i PDK-së. Ai pas takimit të dytë që kishin të shtunën, u shpreh se e ka bërë ofertën e fundit për zgjedhjen e presidentit. E kjo sipas tij ishte që PDK-ja ta propozojë një kandidat dhe që ai të pranohet nga shumica parlamentare. Kurti e pati interpretuar këtë si gatishmëri për garë. Por Hamza e ka refuzuar garën, duke thënë se “rezultati dihet”.
Megjithatë, Kosova veçse ka hyrë në orët vendimtare. Presidentes Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill. E sipas Kushtetutës, Kuvendi nëse dështon ta zgjedhë presidentin jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, atëherë shteti shkon në zgjedhje të reja. Ka pasur interpretime të ndryshme se a duhet të jetë kjo datë 4 apo 5 marsi. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu pati thënë se është 4 marsi, e në LDK një ditë më herët u shprehën se afati përfundon më 5 mars.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.
Kurti ka deklaruar më herët se beson që Murat Jashari, i biri i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit, do të jetë figurë e përshtatshme për postin e presidentit. Por megjithëkëtë, Murat Jashari ka bërë të ditur se nuk ka ambicie për këtë pozitë.
