Shoqata e Qumështoreve të Kosovës (SHQK) ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që të ndërmarrë kontrolle të menjëhershme në furrat dhe byrektoret në gjithë vendin, për të identifikuar bizneset që përdorin yndyrë palme në vend të gjizës së qumështit.
Në një reagim publik, kjo shoqatë ka kërkuar që bizneset ku vërtetohet mashtrimi i konsumatorëve të përballen me masat më të rënda që parasheh ligji, përfshirë mbylljen e tyre dhe heqjen e licencave apo aprovimeve për ushtrimin e veprimtarisë.
Sipas SHQK-së, përdorimi i yndyrës së palmës apo përzierjeve me yndyra bimore, të cilat u shiten konsumatorëve si gjizë e mirëfilltë, përbën mashtrim të qëllimshëm.
Shoqata ka ngritur shqetësimin se mijëra furra dhe byrektore në Kosovë furnizojnë çdo ditë dhjetëra mijëra konsumatorë, duke vënë në pikëpyetje se sa prej tyre mund të jenë duke paguar për produkte të qumështit, ndërkohë që mund të konsumojnë zëvendësues me yndyrë palme.
“Kjo nuk mund të trajtohet më si një çështje e parëndësishme”, thuhet në reagimin e shoqatës.
SHQK-ja i ka bërë thirrje AUV-së që të nisë një aksion të gjerë kontrolli, duke kërkuar pesë masa konkrete.
Fillimisht, kërkon inspektime të menjëhershme në furrat dhe byrektoret në të gjithë territorin e Kosovës, si dhe analiza laboratorike për identifikimin e zëvendësuesve të padeklaruar të gjizës së qumështit.
Po ashtu, shoqata kërkon ndalimin e menjëhershëm të shitjes së produkteve që identifikohen si mashtruese, në përputhje me procedurat ligjore.
Një tjetër kërkesë është mbyllja e bizneseve dhe heqja e licencave apo aprovimeve në rastet kur konstatohen shkelje të rënda që justifikojnë masa të tilla.
Në fund, SHQK-ja kërkon edhe publikimin e rezultateve të kontrolleve dhe emrave të subjekteve që shkelin ligjin, në mënyrë që konsumatorët të informohen se cilat biznese nuk i përmbushin standardet.
“Kush mashtron duke shitur vaj palme për gjizë, duhet të humbë licencën”, përfundon reagimi i Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës.
Postimi i plotë:
KUSH MASHTRON DUKE SHITUR VAJ PALME PĒR GJIZĒ NUK DUHET TË KETË LICENCË PËR TË USHTRUAR VEPRIMTARI !
AUV, MBYLLNI FURRAT DHE BYREKTORET KU VËRTETOHET MASHTRIMI ME YNDYRË PALME NË VEND TË GJIZËS!
A PO MASHTROHET NJË POPULL I TËRË?

