Sot KEDS ka nisur shkyçje masive pas përfundimit të afatit për bizneset që s’kanë arritur marrëveshje me furnizues të licencuar nga ZRRE. Ndaj kësaj ka reaguar Oda Ekonomike e Kosovës, nga ku përmes një komunikate për media është kundërshtuar ky veprim. Po ashtu, OEK ka theksuar se kanë përcjell me shqetësim situatën ‘’kaotike’’ që është krijuar nga ‘’vendimi i jashtëligjshëm’’ i ZRrE-së për ndërprerjen e energjisë elektrike .
Nga OEK është thënë edhe se, ata kanë pranuar ankesa nga bizneset se zyrtarët e KEDS-it, nën shoqërimin e policisë kanë shkuar në objektet dhe hapësirat e bizneseve për të ndërprerë rrymën.
Në komunikatë theksohet edhe se ky veprim, pra ‘‘qëndrimi prapa i aparaturës policore’’ për të ndërprerë rrymën, paraqet humbje shprese’’.
‘‘Oda Ekonomike e Kosovës kundërshton ndërprerjen e energjisë që rrezikon bizneset dhe ekonominë e vendit
Oda Ekonomike e Kosovës ka përcjellë sot me shqetësim situatën kaotike që është krijuar nga vendimi i jashtëligjshëm i ZRrE-së për ndërprerjen e energjisë elektrike. Ky është një vendim që sot ka goditur në mënyrën më të ulët bizneset, ekonominë e vendit dhe për më keq, qytetarët e Republikës së Kosovës. Kemi pranuar ankesa nga bizneset se zyrtarët e KEDS-it, nën shoqërimin e policisë kanë shkuar në objektet dhe hapësirat e bizneseve për të ndërprerë energjinë elektrike. Prania e policisë ka krijuar një imazh shumë negativ tek kompanitë, sidomos tek investitorët e huaj. Qëndrimi prapa i aparaturës policore në ekzekutimin e këtij vendimi paraqet jo vetëm humbje shprese për të sjellë investime të huaja, por edhe humbje të mundësive për zgjerimin e investimeve të bizneseve vendore’’, thuhet mes tjerash.