Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit Amerikan, Brendan Hanrahan, ka nisur dje vizitën e tij zyrtare në Kosovë, ku u mirëprit nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati.
Gjatë qëndrimit të tij, Hanrahan zhvilloi një darkë pune me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në rezidencën e ambasadorit amerikan. Të dy diskutuan mbi zhvillimet aktuale politike në vend, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë.
Sot, vizita e zyrtarit të lartë amerikan vijoi me takime me përfaqësues të partive të ish-opozitës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se me Brendan Hanrahanin folën për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon, teksa tha se ritheksoi përkushtimin e partisë për bashkëpunim politik, funksionalitet institucional dhe zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve.
“Biseduam gjithashtu për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Krasniqi.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj shkoi në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, për të zhvilluar takim me zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, ku bëri të ditur se theksoi rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Kosovës me SHBA-në, si dhe nevojën për të thelluar partneritetin në fushën e sigurisë.
Në Facebook, kreu i AAK-së tutje tha se Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim të plotë në NATO, dhe mbështetja e SHBA-së është tepër e rëndësishme për këtë rrugë.