Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se nuk po sheh vullnet të mjaftueshëm nga subjektet politike për ta çuar përpara nismën e PDK-së lidhur me ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Bajraktari shprehu dyshime se kjo nismë do të marrë mbështetjen e nevojshme politike.
“Në bindjen time sinjalet nuk janë që janë aq shumë pozitive, sepse kur bëhen këto komunikimet përmes rrjeteve sociale, statuseve në Facebook të subjekteve politike, nuk po shoh ndonjë vullnet kështu të mirëfilltë për ta ecur tutje këtë nismë”.
“Elementet e tjera vlerësoj që edhe mund të tejkalohen, sepse siç dihet me rastin e miratimit të amendamentit kushtetues i cili e ka bazën kjo gjykatë, ata janë përkujdesur me sa vërehet në detaje për t’i paraparë eventualisht situatat e ngjashme. Mes të tjerash kanë paraparë edhe institucionin e Avokatit të Popullit, i cili me aq sa kemi parë deri tash thuajse nuk ka qenë fare i përfshirë në punën dhe për çka në fakt ai do të duhej të angazhohej”, u shpreh ai.
Bajraktari u shpreh gjithashtu se kjo nismë është e mirë, por sipas tij, relativisht e vonuar.
“Hipotetikisht këtu mund të vijë në shprehje në cilësi të palës së autorizuar për ta adresuar një çështje në Dhomat e Specializuara që eventualisht në rast se do të mund të kalonte. Prandaj, vlerësoj që nisma është e mirë, është e vonuar, relativisht e vonuar”, tha Bajraktari.