Ish-shef i Divizionit Ekzekutiv të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Mats Mattsson, ka pranuar të flasë ekskluzivisht për Gazetën Nacionale për mënyrën se si janë zhvilluar hetimet rreth ish-presidentit Hashim Thaçi, Ramush Haradinajt dhe UÇK-së në përgjithësi.
“Për mua ishte e qartë se hetimi ishte politik dhe jo i motivuar gjyqësisht”

Këto janë fjalët e një zyrtari të lartë të EULEX-it që i thotë për herë të parë në një media, duke goditur politikanë ndërkombëtarë, që kanë shtyrë agjenda politike, në rastin e Thaçit, Haradinajt dhe akuzave tronditëse ndaj UÇK-së.
Mattsson ka pranuar të flasë ekskluzivisht për Gazetën Nacionale për mënyrën se si janë zhvilluar hetimet rreth ish-presidentit Hashim Thaçi dhe UÇK-së në përgjithësi.
Ai tha se gjithçka nisi me akuzat e ngritura nga Dick Marty, siç i quajti për “vjedhje organesh”, pasi që ishte më e lehtë për politikën të niste hetimet duke ngritur akuza të rënda.
“Gjithçka nisi me akuzat në lidhje me ‘vjedhjen e organeve’. Krime si këto janë të tmerrshme dhe ishte e lehtë për politikanët që të kërkonin se dyshimet duhej të hetoheshin”, tha Mattsson për Nacionalën.
Besueshmëria e dosjeve të EULEX-it dhe ndërhyrjet politike
Nacionale: Zoti Mattsson, çfarë dosjesh dhe provash i transferoi EULEX-i Gjykatës Speciale dhe sa të besueshme, të verifikuara dhe të paanshme ishin ato?
Mattsson: Politikanët e nisën Task Forcën e Hetimeve të Posaçme(TFPH-ja). Ishte një njësi brenda Divizionit Ekzekutiv, por që u vendos në Bruksel. Ata patën prokurorët dhe hetuesit e tyre dhe ne në Mision nuk kishim të bënim asgjë me atë njësi anipse formalisht ishte brenda Divizionit Ekzekutiv.
Nacionale: A kishte presione ose ndërhyrje politike në mbledhjen, përzgjedhjen, transferimin apo përdorimin e këtyre provave?Mattsson: “Për mua ishte e qartë se hetimi ishte politik dhe jo i motivuar gjyqësisht”
Nacionale: A kishte EULEX-i prova konkrete dhe të besueshme që lidhnin Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së me krime sistematike, apo Gjykata Speciale trashëgoi dosje me integritet të dyshimtë, të cilat mund të ishin përdorur për presion politik ndaj Kosovës?
Mattsson: Task Forcën e Hetimeve të Posaçme(TFPH-ja) udhëhiqej prej Clint Williamsonit. Në korrik 2014, ai erdhi në përfundim se nuk kishte arsye të mirëfillta gjyqësore për t’i hetuar këto krime. Në mision ne patëm një tjetër rast me organet njerëzore dhe informacioni sesi duhej të merreshim me organet njerëzore në atë rast e bëri të qartë se raporti i Martyt ishte tërësisht i gabuar.
Prandaj, politikanët i ndryshuan udhëzimet për TFPH-në. Politikanët nuk kishin organe që të hetonin, ndaj ata i dorëzuan në TFPH të gjitha rastet e krimeve të luftës që i kishim në mision. Ai vendim që të hetohej UÇK-ja u mor nga politikanët e jo nga unë apo ndonjë gjyqtar a hetues në mision.
Ishte e qartë se politikanët donin të hetonin Thaçin, Haradinajn dhe UÇK-në. Për mendimin tim, ky është sfondi.
Nacionale: Aktgjykimi prej 81 vjetësh burgim ndaj ish-krerëve të UÇK-së. A u mbështetën 81 vjetët e burgimit ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit në prova të pakontestueshme e të pavarura, apo vendimi u ndikua edhe nga agjenda politike dhe gjeopolitike e BE-së?
Mattsson: Nuk kam ndonjë informacion për dyshimet konkrete apo dëshmitë që u shpalosën në gjykatë. Teorikisht ato mund të kenë qenë të mbështetura, por problemi është se hetimi kur filloi nuk ishte objektiv, por çështja nëse të pandehurit patën gjykim të drejtë është tjetër muhabet.
Ndryshe, Mats Mattsson është një jurist dhe prokuror i njohur suedez, i cili ka shërbyer si shef i Divizionit Ekzekutiv të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), nga tetori i vitit 2012 deri në janar të vitit 2015, periudha me e rëndësishme e këtij misioni në Kosovë