Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duket se nuk është e gatshme të futet në koalicion me Vetëvendosjen për qeverinë e re.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, në një prononcim ka thënë se asnjë deklaratë e liderit të LVV-së, Albin Kurtit, përfshirë atë të djeshmen për çështjen e presidentit, nuk duhet të merret seriozisht.
Kjo pasi sipas Lushtakut, më e rëndësishme për Kurtin është Vetëvendosja sesa vet shteti i Kosovës, teksa tha se Kurti ishte në gjendje që ta çoj vendin në zgjedhje tri herë radhazi e të mos ketë kompromis në të mirë të vendit.
“Besoj se nuk i merren për seriozisht Albin Kurtit asnjë deklaratë sepse për të më e rëndësishme është partia politike, Vetëvendosja, sesa vet shteti i Kosovës. Ju kujtoj se ky ishte në gjendje që tri herë radhazi ta dërgoj vendin në zgjedhje sesa të ketë një kompromis për të mirën e vendit, prandaj nuk pres ndonjë ndryshim nga ky. Problemi kryesor është Albin Kurti dhe për të më e rëndësishme është pozita, karrigia e pushtetit sesa vet Kosova. Prandaj ka mbjell urrejtje dhe ushqim të përçarjes së popullit, sesa ka mbjell një lloj uniteti në popull. E kemi parë edhe në fushatën e tij që më shumë ka fol për emër të përveçëm e përçarje sesa për rezultate të qeverisjes së tij. Prandaj, në këtë fazë unë besoj që duhet të shikojmë certifikimin dhe të fol vet kryetari dhe partitë politike”, tha Lushtaku.
Më tej, Lushtaku u shpreh se PDK-ja s’duhet të shkojë në koalicion me Vetëvendosjen dhe nuk duhet të diskutoj me ta për asnjë pozitë në këto rrethana, pasi tha se është parë çfarë i ka sjell Kosovës një pushtet i tillë, sipas tij, përçarës.
