Shkeljet në trafik në 55 lokacione të Prishtinës po identifikohen përmes kamerave të vendosura nga Komuna e Prishtinës, ndërsa së shpejti ky sistem do të zgjerohet edhe në 34 lokacione të tjera.
Përmes dhomës së monitorimit verifikohen shkeljet e rregullave në komunikacion, ndërsa më pas shqiptohen edhe gjobat për shoferët që nuk respektojnë ligjin.
Zyrtari komunal, Vedat Zuka, ka bërë të ditur se deri më tani mesatarja e gjobave të shqiptuara përmes këtij sistemi ka qenë rreth 50 gjoba në ditë.
“Njëkohësisht bëhet edhe kontrollimi dhe mbarëvajtja e trafikut dhe në kuadër të kësaj bëhet edhe shqiptimi i gjobave për ata që i parasheh ligji. Edhe deri më tani mesatarja e shqiptimit të gjobave ka qenë rreth 50 gjoba brenda ditës. Kemi ditë kur ka më pak, kemi ditë kur ka më shumë, por 50-shi mbetet si mesatare e ditës”, ka deklaruar Zuka për RTV Dukagjinin.
Ai ka njoftuar se faza e dytë e projektit do të sjellë edhe një risi tjetër, përkatësisht vendosjen e matësve të shpejtësisë në kamerat ekzistuese.
“Tani është faza e vendosjes së matësve të shpejtësisë në kamera, të cilët mendojmë se do të vendosen brenda pak ditësh. Konsideroj që do të jetë një risi dhe një gjë shumë e mirë sa i përket kryeqytetit”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka bërë të ditur se në kuadër të fazës së dytë të projektit do të instalohen kamera të reja në 34 lokacione.

