NATO do të përkujtojë sot 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një ceremoni përkujtimore në Memorialin e 11 Shtatorit dhe Nenit 5, në selinë e Aleancës në Bruksel.
Në ceremoni do të marrin pjesë zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, i Ngarkuari me Punë i Misionit të SHBA-së në NATO, Scott Oudkirk, si dhe Përfaqësuesi Ushtarak i SHBA-së në Komitetin Ushtarak të NATO-s, gjenerallejtënant William D. “Hank” Taylor.
Ata do të mbajnë fjalime të shkurtra përkujtimore dhe do të marrin pjesë në vendosjen e një kurore me lule pranë memorialit.
Ceremonia do të kulmojë me një minutë heshtje në orën 14:46, në të njëjtën minutë kur, 25 vjet më parë, u godit Kulla e Veriut e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.
Në nderim të viktimave të sulmeve dhe pjesëtarëve të forcave të armatosura që kanë humbur jetën që prej asaj kohe, flamujt do të ulen në gjysmë shtizë në selinë e NATO-s, në Komandën Supreme të Forcave Aleate në Evropë në Mons dhe në Komandën Aleate për Transformim në Norfolk të SHBA-së.
Sulmet e 11 Shtatorit shënuan herën e parë në historinë e NATO-s kur u aktivizua Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut. Ky nen përcakton se një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës. NATO e aktivizoi atë më 12 shtator 2001, pas përcaktimit se sulmi ndaj SHBA-së ishte i mbuluar nga dispozitat e Nenit 5.