Çmimet e derivateve në Kosovë po vazhdojnë të reflektojnë zhvillimet e paqëndrueshme në tregjet ndërkombëtare të naftës, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme po ndikojnë në furnizimin dhe transportin global të naftës.
Eksperti i sektorit të naftës, Fadil Berjani, ka deklaruar për IndeksOnline se çmimet aktuale në tregun kosovar sillen përafërsisht në 1.95 euro për litër për dizelin dhe 1.65 euro për litër për benzinën.
“Çmimet e naftës dhe benzinës sot sillen përafërsisht: dizelli 1.95 euro, benzina 1.65 euro. S’mundemi me paragjyku se çfarë çmime do t’i kemi në ditët në vijim, sepse po ka lëvizje të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe në bursë, dhe situata e tensionuar në Iran po reflekton në këto çmime”, ka thënë Berjani.
Dy javë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaloi së përcaktuari çmimin maksimal për derivatet e naftës, duke i hapur rrugë rikthimit të çmimeve të tregut në pikat e shitjes në Kosovë.
Berjani e ka vlerësuar si të qëlluar këtë vendim, duke argumentuar se kjo i jep tregut hapësirë për të ofruar çmime më të favorshme për konsumatorët.
“Heqja e marzhës së fitimit është vendim i qëlluar. Tregu ofron çmim më të favorshëm për qytetarët tanë”, ka deklaruar Berjani.




