Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë tha se është i gatshëm të mbledhë fletëvotimet, nëse zgjedhjet parlamentare serbe do të mbaheshin edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë, por për këtë nevojitet miratimi i institucioneve të Kosovës.
OSBE-ja ka theksuar se për kërkesën e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë tashmë janë njoftuar institucionet përkatëse të Kosovës dhe vendimmarrësit dhe se tani po presin përgjigjen e tyre.
“Misioni është i gatshëm ta zbatojë një operacion të tillë, me të njëjtat kushte si në rastet e mëparshme. Kjo nënkupton miratimin e palëve përkatëse dhe sigurimin e kushteve të nevojshme të sigurisë”, thanë nga OSBE-ja.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, më herët i kishte kërkuar OSBE-së që misioni të ofrojë mbështetje në mënyrë që zgjedhjet parlamentare për Kuvendin e Serbisë, që janë caktuar për 25 tetor, të mbahen edhe në Kosovë.
REL-i iu drejtua Qeverisë së Kosovës me pyetjen nëse është në dijeni për këtë kërkesë të Serbisë dhe nëse ajo po shqyrtohet, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët kishte kërkuar që për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës të ketë kërkesë të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar dhe jo që ndërmjetësuese të jetë OSBE-ja. Serbia e kishte refuzuar këtë, me arsyetimin se në këtë mënyrë do të njihej pavarësia e Kosovës.
Ndërkaq, Kurti në vitin 2022 e kishte ndërprerë praktikën e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, në komunat ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.




